Vrau dy vëllezër dhe një grua që e shfrytëzonte për prostitucion në Belgjikë, arrestohet në SHBA 51-vjeçari shqiptar

Një 51-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Shqipëri dhe Belgjikë është arrestuar në Ohio të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në pranga ra Sokol Hoxha, i dënuar për disa krime të rënda.
Sipas autoriteteve, Hoxha akuzohet se në vitin 1997, në bashkëpunim me një person tjetër, vrau me armë zjarri dy vëllezër në Patos. Për këtë ngjarje, Gjykata e Fierit e dënoi në vitin 2000 me 25 vite burg për veprën penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim. Viktima të ngjarjes ishin vëllezërit H.B. dhe I.B., ndërsa krimi dyshohet se u krye për motive të dobëta.
Po ashtu, vetëm pesë muaj pas kësaj ngjarjeje, 51-vjeçari akuzohet se vrau një shtetase shqiptare në Bruksel, të cilën, sipas hetimeve, e shfrytëzonte për prostitucion. Për këtë krim, Gjykata e Brukselit e dënoi në vitin 2010 me burgim të përjetshëm për “Vrasje me dashje”.
Arrestimi i tij në Ohio u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Njësisë së Hetimeve Ndërkombëtare Kriminale DSS/OCIU, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se tashmë po vijon bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese amerikane për ekstradimin e 51-vjeçarit drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë.


