Vrau me thikë Egli Pashollarin në ish-Park, arrestohet në Tropojë Gazment Buçpapaj

Është arrestuar pas 11 ditësh në Tropojë autori i dyshuar i vrasjes së të riut Egli Pashollari në Tiranë. Gazment Buçpapaj u prangos në vendlindjen e tij, pas vrasjes me thikë të 31-vjeçarit në kryeqytet.
Pashollari u sulmua në mes të ditës sapo doli nga makina. Pjesë e përleshjes ka qenë edhe bashkëshortja e autorit. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 20 shkurtit, rreth orës 15:40, në rrugën “Kongresi i Lushnjes”.
Mësohet se autori i vrasjes kishte mbërritur në zonë rreth orës 15:30 për të marrë bashkëshorten e tij, e cila punonte në një market fare pranë vendit të ngjarjes. Sapo e reja ka hipur në makinë, autori ka parë në distancë të riun Egli Pashollari të shoqëruar me një shok të tij.

Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, operacioni i koduar “Distanca”.
Si rezultat i ndjekjes intensive dhe punës së miroganizuar operacionale, lokalizohet dhe ndalohet autori i vrasjes me thikë, të shtetasit E. P.
Autori, shtetasi G. B. u mbajt në mbikëqyrje, teksa fshihej në një banesë në Tropojë.
Si rezultat i veprimeve operacionale profesionale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për lokalizimin dhe ndalimin e autorit të vrasjes së shtetasit E. P., kryer më datë 20.02.2026, gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Distanca”.
Në kuadër të këtij operacioni, pasi u lokalizua dhe u mbajt në mbikëqyrje në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


