22 vende firmosin deklaratën e përbashkët për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit

Bota

22 vende firmosin deklaratën e përbashkët për sigurinë

Ka shkuar në 22, numri i vendeve që i bashkohen deklaratës së përbashkët, të nënshkruar ditët e fundit, fillimisht nga 6 shtete, për të garantuar kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit pas një armëpushimi të armiqësive, duke dënuar mbylljen e kësaj rruge jetike detare nga ana e Iranit.

“Shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në përpjekjet e duhura për të garantuar kalimin e sigurt përmes ngushticës”, thuhet në dokumentin e nënshkruar tashmë nga 22 vende.

Nisma fillimisht u ndërmor nga Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Gjermania, Holanda dhe Japonia; ndërkohë i janë bashkuar Kanadaja, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Danimarka, Letonia, Sllovenia, Estonia, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Republika Çeke, Rumania dhe Lituania, si edhe Australia, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Edhe pse kanë shprehur gatishmërinë e tyre për zhbllokimin e Hormuzit, shtetet që i janë bashkuar kësaj nisme, nuk kanë shprehur konrektisht se në cilën formë do të angazhohen. Dokumenti i mbështetur fillimisht nga Britania, Italia, Gjermania, Franca, Holanda dhe Japonia, u publikua të martën (17 Mars) nga zyra e qeverisë britanike.

Ditët e fundit, aleatët e Natos, janë kritikuar nga Presidenti amerikan Donald Trump, i cili i ka etiketuar ata 'frikacakë' për shkak se kanë vendosur të mos angazhohen ushtarakisht në ujërat e Ngushticës së Hormuzit. Trump kërkoi edhe nga Kina një angazhim në këtë zonë duke argumentuar se nuk janë SHBA ato që përfitojnë nga transporti detar i karburantit që kalon nëpër Hormuz, por janë kryesisht vendet evropiane dhe Pekini zyrtar. /Shqiptarja

ME TE LEXUARAT