Del emri, ekzekutohet 30-vjeçari shqiptar në Itali, autor bashkëkombasi i tij, zbardhen detaje

Një shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Arezzo, të Italisë.
Sipas mediave të huaja, viktima është identifikuar si Gjergj Pergegaj, 30 vjeç, i cili humbi jetën pas disa të shtënave me armë zjarri pranë zonës Bivio di Olmo, në jug të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, krimi ndodhi pak para mesnatës, pranë një bari dhe një restoranti, pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur brenda lokalit. Gjatë përplasjes, një tjetër shtetas shqiptar, rreth 35 vjeç, nxori një pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të viktimës.
I riu u plagos rëndë, ndërsa autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me një automjet, duke tentuar t’i shpëtojë policisë.
Menjëherë pas të shtënave, u njoftuan shërbimet e emergjencës dhe forcat e rendit. Në vendngjarje mbërritën ambulanca, policia dhe karabinierët, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 30-vjeçari nuk mundi të mbijetojë, pasi kishte marrë plagë fatale në qafë.
Autoritetet italiane nisën ndjekjen e autorit, i cili u arrestua në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në zonën përreth.
Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet janë në vijim. Dyshohet se në konflikt mund të ketë ndikuar një çështje personale, por kjo pistë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet në Itali


