Bie në prangat e policisë 22-vjeçari shqiptar/ Kapet me 10 kilogramë kokainë të pastër me vlerë 10 milionë euro

Policia ka arrestuar një 22-vjeçar me origjinë shqiptare në Itali, pasi u kap me 10 kilogramë kokainë të pastër, të ndarë në pako nga një kilogram secila.
Kjo sasi droge do t’i kishte sjellë organizatës mbi 4 milionë euro nëse do të shitej me shumicë, ndërsa në tregun e rrugës mund të gjeneronte afër 10 milionë euro. Kjo duke qenë se shpërndarësit shesin doza prej 0.5 gramësh me çmime që variojnë nga 40 deri në 50 euro.
Mediat italiane shkruajnë se hetimi nisi pas sinjalizimeve për lëvizje të dyshimta rreth një garazhi në Sarnico. Vëzhgimi çoi në identifikimin dhe arrestimin e një 22-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili sillej si kujdestar i garazhit.
Ai u arrestua dhe u dërgua në burgun e Bergamos në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë.
Kjo ngarkesë tregon edhe një herë se zonat e Bergamos dhe Breshias janë një nyje e rëndësishme për trafikun ndërkombëtar të grupeve të lidhura me mafien shqiptare, të cilat furnizojnë dhjetëra organizata kriminale në të gjithë Italinë.


