Dy skiatorë humbin jetën nga një ortek në Norvegji, dy të tjerë plagosen

Një tragjedi goditi sot qendrën e skive Hemsedal në veriperëndim të Oslos, Norvegji, ku dy skiatorë humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë pasi u rrëmbyen nga një ortek, njoftoi policia lokale.
Të vdekurit janë një burrë rreth 30-vjeç dhe një vajzë rreth të 20-ave, ndërsa burri i gjetur i vdekur është identifikuar si suedez. Ngjarja ndodhi pak pas orës 11:00 të mëngjesit, në një zonë ku autoritetet kishin paralajmëruar më parë për rritjen e rrezikut nga ortekët.
Operacioni i shpëtimit përfshiu ekipet e policisë, vullnetarë dhe një helikopter për të gjetur skiatorët e zhdukur. Aktualisht, gjendja e dy personave të plagosur nuk është bërë e ditur, ndërsa hetimet për rrethanat e sakta të aksidentit vazhdojnë.
Ngjarja vjen në një periudhë kur temperaturat dhe reshjet e borës kanë bërë që rreziku i ortekëve në rajon të jetë veçanërisht i lartë, duke detyruar autoritetet të paralajmërojnë turistët dhe skiatorët për kujdes maksimal gjatë qëndrimit në male.


