Evropa në alarm për furnizimet me karburant, BE masa emergjente për stabilizimin e rezervave

Bashkimi Europian po përballet me shqetësime mbi furnizimin me karburant për avionët në disa aeroporte, pas rënies së importeve nga Lindja e Mesme. Situata ka vënë në lëvizje ministrat e Transportit të vendeve anëtare, të cilët janë mbledhur në një videokonferencë për të vlerësuar gjendjen e rezervave dhe sigurinë e furnizimit në kontinent.
Qëllimi i takimit është të krijohet një panoramë e qartë mbi disponueshmërinë reale të karburantit të aviacionit dhe të shmangen ndërprerjet në fluturime që mund të prekin miliona udhëtarë.
Sipas disa vlerësimeve, vende si Portugalia raportojnë furnizime të qëndrueshme deri në fund të gushtit, ndërsa Holanda thekson se Evropa mund të ketë rezerva për disa muaj, falë rafinerive dhe qendrave të mëdha të magazinimit në Amsterdam, Roterdam dhe Antverpen.
Në tryezë po diskutohen gjithashtu masa për forcimin e monitorimit të rezervave, rritjen e prodhimit në rafineri dhe mundësia e blerjeve të përbashkëta të karburantit për të rritur fuqinë negociuese të BE-së në tregjet ndërkombëtare.
Kompanitë ajrore, nga ana tjetër, kanë kërkuar lehtësim të rregullave për përdorimin e “slot”-eve në aeroporte dhe pezullim të përkohshëm të detyrimeve të lidhura me tregun e karbonit, për të shmangur presionin financiar dhe operativ në këtë periudhë.


