Gjykata e Apelit miraton politikën e Trump për deportimin e emigrantëve

Një gjykatë apeli në Kaliforni hapi rrugën për deportimin e gati 89 000 emigrantëve nga Hondurasi, Nepali dhe Nikaragua, të cilët prej vitesh përfitonin nga statusi i përkohshëm i mbrojtur (TPS), që u lejonte atyre të jetonin dhe punonin ligjërisht në SHBA, sipas “Reuters”.
Statusi TPS, i krijuar në vitin 1990, parashikon mbrojtje të përkohshme nga deportimi për emigrantët që vijnë nga vende të konsideruara të pasigurta – për shkak të fatkeqësive natyrore, konflikteve të armatosura apo krizave të tjera humanitare.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ndërmarrë hapa për shfuqizimin e shumicës së këtyre programeve, me synimin për të deportuar qindra mijëra emigrantë që aktualisht gëzojnë këtë status.
Më herët, një gjykatës federal rrëzoi vendimin e qeverisë për t’i dhënë fund TPS-së për qytetarët e Hondurasit, Nepalit dhe Nikaraguasë.
Megjithatë, një gjykatë apeli e rrëzoi dje këtë vendim, duke pezulluar pavlefshmërinë e përfundimit të TPS-së dhe duke hapur rrugën për deportime.
“Vendimi i mëparshëm i gjykatës, që shpallte të pavlefshëm përfundimin e TPS-së për qytetarët e Nepalit, Hondurasit dhe Nikaraguasë, është pezulluar”, thuhet në vendimin e gjykatës së apelit.
Statusi i veçantë TPS u ishte dhënë mbi 51 000 emigrantëve nga Hondurasi dhe rreth 3 000 nga Nikaragua, të cilët u zhvendosën në SHBA pas uraganit “Mitch”, që shkatërroi dy vendet e Amerikës Latine në vitin 1998.
Gjithashtu, rreth 7 000 qytetarë nepalezë jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe janë mbrojtur nga TPS-ja, pas tërmetit shkatërrues që goditi Nepalin në vitin 2015.
Administratat e mëparshme amerikane e kanë rinovuar vazhdimisht statusin TPS për këta emigrantë, por administrata Trump vendosi t’i japë fund kësaj politike.
“TPS-ja nuk u krijua për të qenë e përhershme”, tha sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Christy Noem – duke shtuar se situata në këto vende ishte përmirësuar dhe se qytetarët e tyre mund të ktheheshin pa rrezik.
Ndërkohë, javën e kaluar, një gjykatës federal bllokoi një vendim tjetër të administratës Trump për t’i dhënë fund statusit TPS për rreth 350 000 qytetarë haitianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


