“Goditet grupi i drogës në Itali, arrestohen 28 shqiptarë, si funksiononte rrjeti

Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet të strukturuar trafiku narkotikësh, duke arrestuar 28 shtetas shqiptarë rezidentë në vend.
Sipas mediave të huaja, grupi kriminal ishte i përfshirë si në importimin, ashtu edhe në shpërndarjen e lëndëve narkotike në shkallë të gjerë. Rrjeti funksiononte në mënyrë të organizuar, me struktura të ndara dhe role të përcaktuara qartë për çdo anëtar, nga furnizimi deri te shitja dhe mbledhja e borxheve.
Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 24 kilogramë kokainë, 23 kilogramë marijuanë, 5.6 kilogramë hashash, si dhe 76 mijë euro cash, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti kriminal. Gjithashtu u gjet edhe një armë zjarri.
Hetimet kanë dokumentuar mbi 150 raste të shpërndarjes së drogës, të realizuara përmes vëzhgimeve, filmimeve dhe përgjimeve. Autoritetet bëjnë me dije se anëtarët e grupit përdornin komunikime të koduara, numra telefonikë fiktivë dhe platforma sociale për të shmangur zbulimin.
Droga, sipas hetuesve, sigurohej kryesisht nga Belgjika dhe Spanja dhe transportohej e fshehur në automjete të përshtatura posaçërisht, në sasi që varionin nga 10 deri në 15 kilogramë për çdo udhëtim. Më pas, lënda narkotike shpërndahej në pika të ndryshme të fshehta për të shmangur lidhjen direkte me organizatën.
Grupi ishte i ndarë në pesë struktura të veçanta, anëtarët e të cilave nuk kishin njohje të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, një taktikë që synonte të vështirësonte hetimet dhe identifikimin e drejtuesve.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme të këtij rrjeti dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.


