Goditet grupi i ‘skifterëve’ shqiptarë në Itali! 4 të arrestuar për 34 grabitje, dëmi mbi 300 mijë euro

Një grup shqiptarësh janë arrestuar nga policia italiane në Bolonja, pasi akuzohen se kishin kthyer në objektiv dyqanet e zonës për një seri grabitjesh të organizuara.
Sipas autoriteteve, grupi prej katër personash dyshohet se ka kryer ose tentuar të kryejë të paktën 34 grabitje mes shkurtit 2023 dhe marsit 2024, duke vepruar në disa zona të Italisë jugore dhe qendrore, përfshirë Venosa, Melfi, Rionero in Vulture, Lagonegro, Sala Consilina, Foggia dhe Frosinone.
Objektivi kryesor i tyre ishin dyqanet që shesin produkte të licencuara si cigare, bileta lotarie, pulla fiskale dhe mallra të tjera me vlerë të shpejtë monetare. Sipas hetimeve, ata monitoronin më parë objektet dhe më pas vepronin gjatë natës, duke thyer dyert dhe duke marrë kryesisht para cash, cigare dhe bileta të çastit, të cilat më pas dyshohet se rifuteshin në tregun e zi.
Dëmi ekonomik i shkaktuar bizneseve të vogla llogaritet mbi 300 mijë euro, ndërsa policia italiane e ka cilësuar grupin si një organizatë kriminale të strukturuar që lëvizte vazhdimisht nga një qytet në tjetrin për t’i shpëtuar kapjes.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se operacioni ka çuar në arrestimin e të dyshuarve, ndërsa hetimet për rrjetin dhe bashkëpunëtorët e mundshëm vijojnë.


