GJKKO rikthen për hetim në SPAK çështjen e gjyqtares Irena Gjoka

Aktualitet

GJKKO rikthen për hetim në SPAK çështjen e gjyqtares Irena

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të rikthejë për hetim në SPAK çështjen ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për pushimin e procedimit penal.

Me vendimin e saj, GJKKO ka urdhëruar që SPAK të vijojë hetimet, duke përcaktuar edhe disa veprime konkrete hetimore që duhet të kryhen brenda një afati prej 6 muajsh nga njoftimi i vendimit të formës së prerë.

Çështja lidhet me kallëzimin e depozituar nga Partia Demokratike, ku pretendohej se gjyqtarja kishte falsifikuar formularët e dekriminalizimit. Pas rreth 10 muajsh hetimesh, SPAK ka konstatuar ekzistencën e një dënimi në Greqi, por ka argumentuar se nuk ka pasur dijeni për të dhe se vepra është parashkruar, duke kërkuar për këtë arsye pushimin e çështjes.

Gjykata, megjithatë, ka vlerësuar se hetimet nuk janë të plota dhe ka kthyer aktet për plotësim të mëtejshëm nga Prokuroria e Posaçme. Vendimi është i ankueshëm në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda 15 ditëve.

Njoftimi i gjykatës:

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 26.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Pushimin e çështjes penale me numër 130, të vitit 2025, për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal”.

2. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Marinela Osmani, me vendimin e datës 19.05.2026, vendosi:

1. Kthimin e akteve që i përket procedimit penal numër 130, të vitit 2025, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme, duke përcaktuar drejtimin e thellimit të tyre dhe veprimet që do të kryhen, sipas pjesës arsyetuese së këtij vendimi.

2. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kryerjen e këtyre veprimeve brenda 6 (gjashtë) muajve nga dita e njoftimit të vendimit të formës së prerë.

3. Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Prokurorit të çështjes Bledar Maksuti si dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

4. Shpenzimet procedurale si dhe ato gjyqësore sikurse janë kryer.

5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

ME TE LEXUARAT