Indi/ Tragjedi në ujëvarë, humbin jetën tre adoleshente gjatë një selfie

Bota

Indi/ Tragjedi në ujëvarë, humbin jetën tre adoleshente

Një udhëtim i kthyer në makth për një grup vajzash adoleshente përfundoi në tragjedi në shtetin Andhra Pradesh të Indisë.

Katër vajzat ndodheshin pranë ujëvarës Mulagugumi, ku sipas policisë po qëndronin mbi shkëmbinj të rrëshqitshëm duke tentuar të bënin selfie. Në një moment ato rrëshqitën dhe ranë në ujë.

Autoritetet bënë të ditur se asnjëra prej tyre nuk dinte not, çka e përkeqësoi situatën pasi u morën nga rrjedha e fortë e ujit.

Banorët e zonës ndërhynë menjëherë pasi dëgjuan thirrjet për ndihmë dhe arritën të shpëtojnë njërën prej vajzave, e cila u dërgua në spital.

Ndërkohë, tre të tjerat – Trisha (17 vjeç), Ratnakumari (16 vjeç) dhe Pavitra (16 vjeç) – u morën nga rrjedha dhe humbën jetën. Trupat e tyre u nxorën më vonë nga ekipet e policisë.

Autoritetet theksuan se, megjithëse ujëvara duket e vogël, terreni është shumë i rrëshqitshëm dhe rrymat janë të forta, duke e bërë zonën të rrezikshme për vizitorët.

Policia u ka bërë thirrje turistëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin afrimin pranë ujërave, veçanërisht në zona të izoluara, si dhe të mos rrezikojnë për të realizuar selfie në kushte të pasigurta.

ME TE LEXUARAT