Izraeli dhe Libani zgjasin armëpushimin me 45 ditë pas negociatave në SHBA

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zgjatjen me 45 ditë të armëpushimit të brishtë mes tyre, pas dy ditësh negociatash të zhvilluara në Uashington D.C., bëri të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas zëdhënësit të DASH, Tommy Pigott, palët synojnë të avancojnë drejt një procesi më të qëndrueshëm paqeje, që përfshin njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të dy vendeve, si dhe forcimin e sigurisë përgjatë kufirit të përbashkët.
Armëpushimi fillestar ishte njoftuar nga Presidenti amerikan Donald Trump më 16 prill, por pavarësisht kësaj, Izraeli dhe Hezbollahu kanë vijuar shkëmbimet e zjarrit në kufirin jugor të Libanit.
Të mërkurën, autoritetet shëndetësore libaneze raportuan se sulme ajrore izraelite kanë shkaktuar 22 viktima, mes tyre edhe tetë fëmijë, në zonat jugore të vendit.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, në javët në vijim pritet të rifillojë procesi politik i negociatave në qershor, ndërsa më 29 maj në Pentagon do të nisë një tjetër linjë diskutimesh sigurie me pjesëmarrjen e delegacioneve ushtarake nga të dyja palët.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar, me raportime pothuajse të përditshme për përplasje të armatosura dhe sulme ajrore në zonat kufitare, ku Izraeli thotë se po synon pozicionet e Hezbollahut.


