"Ai nuk është më gjallë"/ Zhdukja e Ervis Martinajt, Artan Hoxha: Familja tha se personi i fundit që e takoi dinte se…

Gazetari Artan Hoxha ka bërë deklarata të forta lidhur me fatin e Ervis Martinajt, duke theksuar se sipas tij ai nuk është më gjallë dhe se ngjarja është shoqëruar me zhdukjen e trupit për të eliminuar çdo gjurmë.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Hoxha tha se personi i fundit që ka takuar Martinajn ka qenë Jeton Lami, ndërsa shtoi se rrethanat e këtij takimi mbeten ende të paqarta publikisht.
Sipas tij, çështja ka pasur edhe pasoja në radhët e Policisë së Shtetit, duke përmendur edhe shkarkimin e ish-drejtorit Gledis Nano, të cilin e lidhi indirekt me zhvillimet e rastit.
“Gledis Nano nuk tha ndonjëherë çfarë foli me Jeton Lamin. Babai i Ervis Martinajt priste që ky njeri të thoshte diçka. Gjithçka aty është zinxhir”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi se deri më sot nuk janë bërë publike detaje të plota mbi komunikimet mes personave të përfshirë, duke shtuar se shumë elementë të dosjes mbeten të pazbardhur.
“Njeriu i fundit që ka takuar Ervis Martinajn është Jeton Lami. Ky njeri, kur u dorëzua, shkoi te drejtori i përgjithshëm dhe foli me të, por ne nuk e dimë çfarë është thënë”, deklaroi gazetari.
Në deklaratën e tij, gazetari u shpreh skeptik ndaj versioneve që sugjerojnë se Martinaj mund të jetë ende gjallë, duke i konsideruar ato të pabazuara.
Sipas tij, autorët e përfshirë në ngjarje kanë shkuar deri në zhdukjen e trupit për të shmangur lënien e provave, ndërsa hetimet për fatin e Martinajt vijojnë të mbeten pa një përgjigje përfundimtare.


