KE publikon masa për mbrojtjen e konsumatorëve nga çmimet e larta të energjisë

Bota

KE publikon masa për mbrojtjen e konsumatorëve nga çmimet e

Komisioni Evropian ka publikuar një paketë të re rekomandimesh që synojnë mbrojtjen e familjeve vulnerabël nga ndërprerjet e energjisë, përmirësimin e menaxhimit të kontratave të furnizimit dhe forcimin e rolit të konsumatorëve në tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Rekomandimet janë pjesë e zbatimit të Paketës së Energjisë për Qytetarët dhe komunikatës “AccelerateEU”, të miratuara nga Komisioni Evropian për të përballuar sfidat e tregut energjetik dhe varësinë nga lëndët djegëse fosile.

Masat synojnë t’u japin qytetarëve më shumë siguri dhe informacion në lidhje me furnizimin me energji, si dhe të parandalojnë ndërprerjet që mund të vijnë nga falimentimi i furnizuesve.

Gjithashtu, ato mbështesin zhvillimin e komuniteteve energjetike dhe vetëprodhimin e energjisë, me qëllim uljen e kostove dhe rritjen e qëndrueshmërisë.

Komisioneri për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jørgensen, tha se paqëndrueshmëria e tregjeve globale, e ndikuar edhe nga tensionet në Lindjen e Mesme, tregon nevojën për një sistem më të sigurt energjetik në Evropë. Ai theksoi se kjo paketë synon të sjellë përfitime konkrete për familjet, bizneset e vogla dhe komunitetet në të gjithë BE-në.

Komisioni Evropian do të bashkëpunojë me shtetet anëtare për zbatimin e këtyre rekomandimeve, duke ofruar asistencë teknike dhe duke monitoruar progresin e tyre.

ME TE LEXUARAT