"Nuk na tret dheu pa e parë Berishën në burg", Balla përfundon dëshminë në GJKKO për “Partizanin”, flet edhe për paraqitjen e Ramës në gjyq

Politikë

"Nuk na tret dheu pa e parë Berishën në burg", Balla

Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të çështjes “Partizani”.

Pas seancës, Balla është prononcuar për mediat, duke deklaruar se fakti që në bankën e të akuzuarve ndodhen persona që kanë drejtuar vendin për dekada dhe akuzohen për korrupsion e fshehje pasurie, është një zhvillim pozitiv për drejtësinë shqiptare. Ai shtoi se procesi duhet të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale duhet të shkojë te çdo person që ka shkelur ligjin.

“Për kallëzimet që kam bërë janë përgjegjësia ime individuale. Ia kam thënë edhe gjykatës. Zotëria tha ‘keni deklaruar në Kuvend që nuk na tret dheu pa parë Berishën në burg’.

Balla theksoi gjithashtu se kallëzimin e ka bërë me emrin e tij dhe se i qëndron plotësisht pretendimeve të ngritura gjashtë vite më parë, duke nënvizuar se “drejtësia vonon, por nuk harron”.

Ai u ndal edhe te privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani”, duke deklaruar se sipas tij një hapësirë që mund të shërbente për të rinjtë e Tiranës është shndërruar në ndërtimin e 17 kullave.

Në deklaratën e tij, Balla përmendi edhe çështjen e 21 janarit 2011, duke shprehur dëshirën që të thirret si dëshmitar në atë proces, ndërsa u shpreh se çështja ka vendime nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Strasburgut.

I pyetur për paraqitjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar, Balla u përgjigj shkurt se paraqitja në gjykatë është përgjegjësi individuale dhe se ai mban përgjegjësi vetëm për kallëzimet e tij.

ME TE LEXUARAT