Kjo është gruaja që sfidoi mjekësinë dhe jetoi 122 vjet

Bota

Kjo është gruaja që sfidoi mjekësinë dhe jetoi 122 vjet

Jeanne Calment, gruaja më e moshuar e dokumentuar ndonjëherë, jetoi 122 vjet, sipas raportimeve të publikuara nga revista shkencore Science.

E lindur në Arles të Francës, Calment u bë e njohur jo vetëm për moshën rekord, por edhe për stilin e saj të jetesës, i cili sfidonte këshillat tradicionale mjekësore. Ajo pinte çdo ditë një gotë verë, konsumonte rreth 900 gramë çokollatë në javë, nuk hante mëngjes por pinte disa filxhanë kafe dhe për vite me radhë vazhdoi të pinte duhan.

Megjithatë, ajo ruajti energji dhe gjendje të mirë shëndetësore deri në fund të jetës. Calment ia atribuonte jetëgjatësinë e saj ushqimit, aktivitetit fizik dhe kujdesit për trupin.

Pas moshës 85-vjeçare, rutina e saj ishte e rregullt: zgjohej në orën 6:45, lutej dhe më pas kryente ushtrime të lehta gjimnastikore për krahët dhe këmbët. Më pas lahej dhe e lyente trupin me vaj ulliri, të cilin e përdorte si në ushqim ashtu edhe për kujdes trupor.

Për drekë preferonte mish të pjekur, shpesh të shoqëruar me një cigare dhe një gotë verë. Ajo kërkonte ushqime të shijshme dhe ëmbëlsirat mbetën pjesë e dietës së saj deri në moshë shumë të thyer.

Edhe në shtëpinë e të moshuarve, Calment mori pjesë në studime mbi superqindvjeçarët. Mjekët vunë re se ajo lëvizte më shpejt, kishte aftësi mendore më të mira dhe ishte në gjendje më të mirë se persona 10–20 vjet më të rinj.

Kur ndërroi jetë në vitin 1997, ajo ishte 1.37 metra e gjatë dhe peshonte 40 kilogramë. Edhe pse pothuajse e verbër, mbeti në gjendje relativisht të mirë shëndetësore për moshën e saj dhe vazhdoi të shijonte ëmbëlsira e verë deri pak para vdekjes, ndërsa duhanin e la vetëm një vit më herët.

Historia e Jeanne Calment mbetet një rast unik që sfidon perceptimet tradicionale mbi jetëgjatësinë, duke u bërë objekt studimi për shkencën mbi faktorët që ndikojnë në një jetë të gjatë dhe aktive./Shqip

ME TE LEXUARAT