Mediat izraelite: Presidenti Pezeshkian i ka paraqitur dorëheqjen liderit suprem Mojtaba Khameneit

Media izraelite i referohet kanalit opozitar iranian Iran International, i cili citon burime anonime sipas të cilave Pezeshkian ka shprehur pakënaqësi për ndikimin në rritje të Gardës Revolucionare në drejtimin e shtetit.
Sipas raportimit, presidenti iranian pretendon se Garda Revolucionare ka marrë kontrollin e një pjese të madhe të administratës shtetërore, ndërsa ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë janë lënë jashtë proceseve kryesore të vendimmarrjes.
Burimet e cituara nga Iran International thonë se mosmarrëveshjet lidhen kryesisht me menaxhimin e luftës dhe pasojat e saj për ekonominë iraniane dhe jetën e qytetarëve.
Raporti vjen pak ditë pasi media amerikane CBS publikoi informacione se Mojtaba Khamenei ndodhet në një vend sekret dhe me komunikim shumë të kufizuar me botën e jashtme.
Deri tani, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht as pretendimet për dorëheqjen e Pezeshkianit dhe as raportimet mbi vendndodhjen e Mojtaba Khameneit.


