Ndalohen rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç/ Turqia miraton ligjin

Parlamenti turk ka miratuar një ligj të ri që ndalon aksesin në mediat sociale për personat nën moshën 15 vjeç, në një përpjekje për të kufizuar përdorimin e platformave dixhitale nga të miturit.
Sipas ligjit, fëmijët nën këtë moshë nuk do të mund të regjistrohen në rrjete sociale, ndërsa platformat do të detyrohen të vendosin sisteme të verifikimit të moshës për përdoruesit.
Po ashtu, prindërve do t’u jepen mjete për të monitoruar kohën që fëmijët kalojnë online dhe shpenzimet në internet. Ligji parashikon edhe masa për ndërhyrje të shpejtë: në rast të përhapjes së përmbajtjes së dëmshme, platformat kryesore duhet të reagojnë brenda një ore.
Ligji pritet të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Qeveritare.
Nisma të ngjashme po diskutohen edhe në vende të tjera. Në Francë, presidenti Emmanuel Macron ka propozuar madje një “ditë pushimi” mujore nga rrjetet sociale për të rinjtë, me synim reduktimin e varësisë dhe kthimin drejt aktiviteteve reale si sporti dhe leximi.


