Organizoi kryengritje, ish-presidenti i Koresë së Jugut dënohet me burgim të përjetshëm

Bota

Organizoi kryengritje, ish-presidenti i Koresë së Jugut dënohet

Një gjykatë në Korenë e Jugut e ka shpallur ish-presidentin Yoon Suk Yeol fajtor për organizimin e një kryengritjeje. 65-vjeçari është dënuar me burgim të përjetshëm për organizimit të një kryengritjeje, që rrjedh nga përpjekja e tij në dhjetor 2024 për të vendosur ligj ushtarak.

Urdhri i Yoon zgjati vetëm gjashtë orë, por tronditi vendin, paralizoi atë që kishte mbetur nga qeveria dhe i kushtoi partisë së tij humbjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Dënime kanë marrë edhe të tjerë që janë akuzuar së bashku me Yoon:

Kim Yong-hyun, ish-ministri i mbrojtjes në administratën e Yoon, është dënuar me 30 vjet burg.

Roh Sang-won, ish-komandant i inteligjencës, dënohet me 18 vjet burg

Cho Ji-ho, ish-shefi i policisë, u dënua me 12 vjet burg

Kim Bong-sik, ish-shefi i policisë metropolitane të Seulit, dënohet me 10 vjet burg

Mok Hyun-tae, ish-kreu i rojeve të policisë së Asamblesë Kombëtare, u dënua me 3 vjet burg.

Prokurorët kishin kërkuar dënimin me vdekje të Yoon Suk Yeol. Ky është rasti më i rëndësishëm deri më tani për udhëheqësin e rrëzuar, përpjekja e të cilit shkaktoi një krizë politike kombëtare dhe vuri në provë qëndrueshmërinë demokratike.

Në janar, prokurorët kishin thënë se “ligji ushtarak i emergjencës jokushtetues dhe i paligjshëm i Yoon-it dëmtoi funksionin e Asamblesë Kombëtare dhe Komisionit Zgjedhor, duke shkatërruar në fakt rendin kushtetues liberal demokratik”.

Yoon, 65 vjeç, i ka mohuar akuzat. Ai argumentoi se kishte autoritetin presidencial për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe se veprimi i tij kishte për qëllim të jepte alarmin për pengimin e qeverisë nga partitë opozitare.

Organizimi i një kryengritjeje mbart një dënim maksimal me vdekje ose burgim të përjetshëm sipas ligjit të Koresë së Jugut. Koreja e Jugut dha dënimin me vdekje për herë të fundit në vitin 2016, por nuk ka ekzekutuar askënd që nga viti 1997.

ME TE LEXUARAT