Paralajmëron Zelensky: Rusia po planifikon sulme të reja dhe zgjerim të mobilizimit në Ukrainë

Bota

Paralajmëron Zelensky: Rusia po planifikon sulme të reja dhe zgjerim

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se sipas të dhënave të inteligjencës ushtarake ukrainase, udhëheqja politike e Rusisë po planifikon operacione të reja ofensive si dhe zgjerimin e mobilizimit ushtarak.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Zelensky tha se informacionet i janë paraqitur pas një raporti të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, të prezantuar nga drejtori Oleh Ivashchenko.

Ai u shpreh se dokumente të siguruara nga Ukraina tregojnë, sipas tij, se strukturat ushtarake ruse vetë pranojnë vështirësi në përmbushjen e objektivave të vendosura nga udhëheqja politike në Moskë.

Zelensky shtoi gjithashtu se forcat ukrainase po vazhdojnë të godasin potencialin ofensiv të ushtrisë ruse, duke pretenduar se humbjet e pakthyeshme të palës ruse përbëjnë një përqindje të lartë të totalit të dëmeve të saj në fushëbetejë.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur lufta mes dy vendeve vijon me intensitet të lartë dhe palët vazhdojnë të raportojnë pretendime të kundërta mbi situatën në front.

ME TE LEXUARAT