Rusia kërkon që Izraeli të ndalojë sulmet "e paligjshme" ndaj Iranit
Ministria e Jashtme e Rusisë i kërkoi Izraelit të ndalojë ato që i quajti sulme të paligjshme ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe akuzoi vendet perëndimore për manipulim të situatës për të “larguar hesape politike”.
“Sulmet intensive të vazhdueshme nga pala izraelite ndaj objekteve bërthamore paqësore në Republikën Islamike të Iranit janë të paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, krijojnë kërcënime të papranueshme për sigurinë ndërkombëtare dhe e shtyjnë botën drejt një katastrofe bërthamore, pasojat e së cilës do të ndihen kudo, përfshirë edhe vetë Izraelin”, thuhet në deklaratë.
“Rusia i bën thirrje udhëheqjes izraelite që… të ndërpresë menjëherë bastisjet në instalimet dhe vendet bërthamore që janë nën masa mbrojtëse dhe janë objekte të aktiviteteve të verifikimit të IAEA-s”, shtoi ajo.
Deklarata akuzoi gjithashtu vende të paidentifikuara perëndimore se vepronin “nga konsiderata oportuniste” në mbështetjen e veprimeve të Izraelit, duke thënë “Është e qartë se përpjekjet e bllokut perëndimor për të manipuluar regjimin global të mospërhapjes bërthamore dhe për ta përdorur atë për të larë hesapet politike me vendet e padëshirueshme janë jashtëzakonisht të kushtueshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe absolutisht të papranueshme.”
Aty thuhej se Rusia kishte vënë në dukje “angazhimin e palëkundur” të Iranit ndaj detyrimeve të tij për t’iu përmbajtur traktatit të mospërhapjes “dhe gatishmërinë e tij për të rifilluar kontaktet me Shtetet e Bashkuara”, duke shtuar se një zgjidhje për konfliktin mund të “sigurohej vetëm përmes diplomacisë dhe negociatave”.