"S`mund të vazhdojmë kështu, duhen masa të dhimbshme", kancelari gjerman: Jemi në krizë....
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka bërë një deklaratë të rrallë dhe të fortë në Bundestag, duke pranuar se Gjermania prej vitesh po jeton përtej kapaciteteve të saj financiare, ndërsa paralajmëroi se sistemi aktual i pensioneve është i paqëndrueshëm dhe po i kushton vendit mbi 31% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), një nga nivelet më të larta në Europë.
"Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Duhet të marrim masa të dhimbshme shtrënguese, për të garantuar të ardhmen e brezave të rinj,” u shpreh Merz, duke paralajmëruar ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat dhe përfitimet sociale të qytetarëve.
Sipas Marcel Fratzscher, këshilltar ekonomik dhe drejtues i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike, kostoja vjetore e pensioneve ka arritur në 400 miliardë euro dhe pritet të rritet edhe më shumë në dekadën e ardhshme.
“Nëse nuk ndërmerren reforma urgjente, Gjermania do të përballet me një krizë të thellë ekonomike”, paralajmëroi Fratzscher.
Situata bëhet edhe më alarmante kur merret parasysh fakti se deri në mesin e viteve 2030, do të ketë një pensionist për çdo dy të punësuar, duke e bërë sistemin aktual tërësisht të paqëndrueshëm.
Sipas gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, fjalimi i Merzit në Bundestag ngriti pritshmëri të mëdha, por dështoi të japë detaje konkrete për reformat. Ai foli për një “kontratë të re sociale”, ndërsa përmendi disa masa të propozuara nga CDU, si:
Lehtësira tatimore për pensionistët që vijojnë të punojnë
Pension i parakohshëm për kategori të caktuara
Pagesë mujore prej 10 eurosh për çdo fëmijë, për të nxitur kursimin familjar
Por mediat kritike e quajnë këtë qasje të gabuar, duke theksuar se nuk trajton në mënyrë reale krizën demografike dhe se shtesa të tilla sociale e rëndojnë më tej barrën buxhetore.
“Qeveria po shpërndan para që nuk i ka” – Alarm nga Kontrolli i Lartë i Financave
Një raport i brendshëm i Kontrollit të Lartë të Financave në Gjermani, i siguruar nga televizioni ARD, flet për krizë të thellë strukturore në menaxhimin e buxhetit. Raporti i drejtohet ministrit të Financave Lars Klingbeil dhe kritikon faktin se për vitin 2026, gati 1 në 3 euro do të financohet me borxh.
“Qeveria nuk është më në gjendje të financojë funksionet bazë të shtetit, dhe rritja e borxhit publik është vetëm një zgjidhje afatshkurtër, që shtyn reformat thelbësore,” thuhet në raport.
Institucioni thekson se duhet një plan i qëndrueshëm për shkurtime buxhetore dhe përqendrim te prioritetet kushtetuese.
Deklaratat e kancelarit Merz dhe raportet zyrtare përbëjnë një sinjal të qartë alarmi për ekonominë më të madhe të Europës. Sistemi i mbingarkuar i përfitimeve sociale, bashkë me ndryshimet demografike, po e vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e modelit gjerman të shtetit të mirëqenies.
Qytetarët duhet të përgatiten për një kohë të reformave të dhimbshme, me ndikim të drejtpërdrejtë në përfitimet sociale, taksa dhe nivelin e jetesës.