Trump telefonon Erdogan, diskutime për armëpushimin në Lindjen e Mesme dhe stabilitetin rajonal

Erdogan dhe Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku kanë diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe SHBA-ve, situatën në Lindjen e Mesme dhe përgatitjet për samitin e NATO-s.
Sipas presidencës turke, gjatë telefonatës dy liderët u fokusuan te zhvillimet në Siri, Liban dhe armëpushimi në Lindjen e Mesme.
Erdogan e cilësoi pozitiv vendimin për zgjatjen e armëpushimit në rajon, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të mbështesë iniciativat për zgjidhje diplomatike të konflikteve.
Presidenti turk deklaroi gjithashtu se stabiliteti në Siri është i rëndësishëm për gjithë rajonin dhe se Ankaraja do të vijojë mbështetjen ndaj Damaskut, ndërsa kërkoi që të parandalohet përkeqësimi i situatës në Liban.
Gjatë bisedës, Erdogan informoi Trump edhe mbi përgatitjet për samitin e NATO-s që pritet të mbahet në Ankara.
Po ashtu, presidenti turk i shprehu ngushëllime homologut amerikan për sulmin e ndodhur në një xhami në San Diego, duke theksuar se Turqia kundërshton çdo formë krimi të urrejtjes, pavarësisht besimit fetar.


