"Dy sharlatanë firmosën për “Diellën”, Berisha akuza ndaj Ramës dhe Begajt: Teknologjia në shërbim të vjedhjes

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, prezantoi sot vizionin e opozitës për teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale, ndërsa hodhi akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën se si, sipas tij, janë përdorur sistemet digjitale dhe të dhënat e qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ironizoi drejtuesit e shtetit dhe ministren përgjegjëse për teknologjinë, duke deklaruar se “Rama dhe Begaj janë dy sharlatanët më të mëdhenj të epokës së Inteligjencës Artificiale”.
Sipas tij, Shqipëria ka nevojë urgjente për zhvillim teknologjik dhe për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në funksion të shtetit ligjor dhe demokracisë.
Berisha kujtoi periudhën e qeverisjes së demokratëve në vitin 2005, kur, sipas tij, penetrimi i internetit në vend ishte vetëm 4.9%, ndërsa falë projektit “Shqipëria Digjitale” arriti në 63%. Ai vlerësoi kontributin e ish-ministrit Genc Pollo në zhvillimin e infrastrukturës digjitale.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama se ka përdorur teknologjinë për “vjedhjet më të mëdha në historinë e vendit”, duke iu referuar rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve dhe skandalit të patronazhistëve.
Në fokus të deklaratave të tij ishte edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, për të cilën Berisha tha se është kthyer në “gropën më të zezë të vjedhjeve”, duke pretenduar se tenderët në fushën e teknologjisë janë centralizuar dhe favorizojnë persona të afërt me qeverinë.
Ai deklaroi se një qeveri e ardhshme e PD-së do të investojë në teknologji, blockchain dhe Inteligjencë Artificiale, duke synuar kthimin e profesionistëve shqiptarë nga jashtë dhe ndërtimin e një sistemi modern digjital në funksion të qytetarëve.


