U arrestua për vrasjen e babait/ Lirohet me kusht djali i themeluesit të “Mango-s”, paguan 1 milion euro garanci

Jonathan Andic, djali i madh i themeluesit të markës së njohur të modës “Mango”, Isak Andic, është liruar me kusht pas pagesës së një garancie prej 1 milion eurosh, pasi ishte arrestuar nën dyshimin për përfshirje në vdekjen e të atit.
Ai është paraqitur para gjykatës në Martorell, ku vendimi parashikon lirimin e përkohshëm të tij me masa të rrepta sigurie. Si pjesë e këtyre masave, 45-vjeçarit i është sekuestruar pasaporta dhe është i detyruar të paraqitet çdo javë pranë autoriteteve gjyqësore deri në përfundimin e hetimeve.
Arrestimi i Jonathan Andic shkaktoi reagime të shumta në Spanjë, pasi për një periudhë të gjatë vdekja e Isak Andic ishte trajtuar si një aksident tragjik gjatë një ekskursioni në Montserrat në dhjetor 2024.
Megjithatë, hetimet u rihapën pas daljes së provave të reja, duke përfshirë edhe analizën e telefonit celular të 45-vjeçarit nga policia katalanase “Mossos d’Esquadra”.
Vetë Jonathan Andic ka mohuar akuzat, duke deklaruar se i ati ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti gjatë ecjes në mal, kur dyshohet se është rrëzuar në një humnerë. Sipas dëshmisë së tij, ai ndodhej disa metra përpara të atit në momentin e ngjarjes dhe nuk ka mundur të ndërhyjë për ta ndalur rënien.
Isak Andic, themeluesi i “Mango”, një nga figurat më të njohura të industrisë së modës në Spanjë, humbi jetën në moshën 71-vjeçare pasi ra nga një lartësi rreth 150 metrash në zonën malore të Montserratit.


