Valixhen plot me drogë nga Tajlanda në Itali, arrestohet 21-vjeçari shqiptar! Sekuestrohen 19 kg marihuanë

Një 21-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi u kap duke transportuar 19 kilogramë marihuanë nga Tajlanda drejt territorit italian.
Sipas mediave italiane, i riu mbërriti në aeroportin e Malpensës në Milano me një fluturim nga Bangkoku. Valixhja e tij ngjalli menjëherë dyshime tek autoritetet, të cilat gjatë kontrollit zbuluan blloqe marihuane të ndara dhe të paketuara me kujdes.
Megjithatë, policia vendosi të mos ndërhynte menjëherë në aeroport, por të ndiqte lëvizjet e tij për të identifikuar personat që do të prisnin ngarkesën.
21-vjeçari u mbajt nën vëzhgim deri në zonën e Oderzos, në provincën e Treviso, ku dyshohej se do të kryhej dorëzimi i drogës.
Nga hetimet rezultoi se shqiptarit iu vu në dispozicion një furgon nga dy persona të tjerë. Më pas ai u takua me një banor të zonës, i shoqëruar nga një mik i tij, dhe droga u transferua në automjetin e një 30-vjeçari.
Në momentin e shkëmbimit, policia ndërhyri duke arrestuar shqiptarin dhe personat e tjerë të përfshirë në operacion, ndërsa lënda narkotike u sekuestrua si provë materiale.
Pas seancës paraprake gjyqësore, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin shqiptar. Njëri prej shtetasve italianë u la në arrest shtëpie, ndërsa personi tjetër u lirua pasi nuk u provua përfshirja e tij në trafikimin e drogës.


