Pse Uashingtoni po përkrah hapur Vjosa Osmanin?

Kosovë&Rajon

Pse Uashingtoni po përkrah hapur Vjosa Osmanin?

Vjosa Osmani është kthyer në një figurë qendrore të debatit politik shqiptar, brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo vëmendje nuk lidhet vetëm me funksionin që ajo mban, por me pozicionimin e saj të ri në një moment vendimtar, në afrimin e fundit të mandatit dhe nevojën për të ndërtuar një shumicë të re politike për rizgjedhje.

Popullariteti i saj aktual është më i lartë se në momentin e zgjedhjes si Presidente, çka tregon se Osmani ka ditur të lexojë rrethanat dhe të adaptohet. Megjithatë, ky popullaritet nuk është i garantuar dhe as i pakushtëzuar. Ai është produkt i një ekuilibri delikat mes politikës së brendshme, raporteve rajonale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Rikthimi i saj në politikën partiake, konkretisht në hapësirën e trashëguar nga Ibrahim Rugova, do të ishte një lëvizje e vështirë dhe potencialisht regresive. Ajo forcë politike ndodhet sot larg kohezionit, autoritetit dhe rolit që kishte në të kaluarën. Për Osmanin, një rikthim i tillë nuk do të ishte vazhdimësi politike, por hyrje në një terren të konsumuar dhe pa ndikim real.

Në këtë kuptim, synimi për një mandat të dytë presidencial paraqitet si opsioni më racional. Por ky synim kërkon një transformim të rolit të saj,  nga një figurë e identifikuar me një krah politik, në një presidente që ruan distancë nga partitë dhe kërkon legjitimitet më të gjerë institucional.


Kjo qasje shpjegon edhe afrimin e saj me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Nuk bëhet fjalë për harmoni ideologjike, por për pragmatizëm politik. Rama përfaqëson një faktor ndikimi në opinionin publik kosovar, veçanërisht në segmentet opozitare, dhe ky fakt nuk mund të injorohet nga askush që synon rizgjedhje konsensuale.

Në planin ndërkombëtar, Osmani ka investuar dukshëm në marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me Presidentin Donald Trump. Ky raport ka vlerë më shumë simbolike sesa operative, por në politikë simbolika shpesh është po aq e rëndësishme sa përmbajtja. Në një periudhë tensionesh dhe mesazhesh kontradiktore nga Prishtina zyrtare, Osmani ka tentuar të paraqitet si faktor stabiliteti dhe vazhdimësie në raport me Uashingtonin.Kjo qasje ka ndihmuar në mbushjen e një vakumi të perceptuar diplomatik, i cili shpesh i është atribuar qeverisë së Albin Kurtit.

Kjo e ka vendosur atë, herë pas here, në një rol korrigjues ndaj politikës së qeverisë Kurti, pa hyrë drejtpërdrejt në konflikt, por duke ruajtur një profil të veçantë diplomatik. Marrëdhënia mes tyre mbetet funksionale, por është e qartë se interesat politike nuk janë gjithmonë të mbivendosura.

Për t’u rizgjedhur Presidente, Osmani nuk ka nevojë vetëm për shumicën qeverisëse, por edhe për vota nga opozita. Pikërisht këtu hyn pesha indirekte e Edi Ramës, jo si vendimmarrës, por si referencë politike për një pjesë të spektrit opozitar kosovar, sidomos për ata që ndihen të përfaqësuar nga qëndrimet e tij ndaj çështjeve të luftës dhe figurave të UÇK.  Sidomos,qëndrimet e tij kritike ndaj Gjykatës Speciale dhe përpjekjet për ndërkombëtarizimin e kësaj kauze kanë rezonuar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Pikërisht në këtë kauzë, Osmani dhe Rama kanë gjetur pika të përbashkëta, duke ndërtuar një bashkëpunim të heshtur, por të dukshëm, dhe që  perkthehet si një afrim funksional mes tyre. Pra, pa deklarata të bujshme dhe pa aleanca formale, por me një komunikim të qartë politik. Një afrim që i shërben të dyja palëve, pa i ekspozuar ndaj kostove të drejtpërdrejta.

Në këtë fazë, Vjosa Osmani po luan një lojë më të matur se më parë. Jo domosdoshmërisht më idealiste, por më realiste. Nëse kjo strategji do të mjaftojë për një mandat të dytë, varet jo vetëm nga aleatët që po ndërton, por edhe nga aftësia e saj për të ruajtur balancën mes pavarësisë institucionale dhe domosdoshmërisë politike./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT