Kapen gjysmë milioni euro në Maqedoninë e Veriut, u nisën drejt Tiranës! Paratë në ‘bunkerin’ e brendshëm

500 mijë euro janë sekuestruar në pikën kufitare të Maqedonisë së Veriut. Parate ishin të fshehura në një minibus që po udhëtonte drejt Tiranës.
Drejtuesi i automjetit, një shtetas shqiptar me iniciale XH.G., është ndaluar dhe ndaj tij ka nisur procedim penal për transport të paligjshëm të parave dhe dyshime për pastrim parash. Paratë dhe minibusi janë sekuestruar si prova materiale.
Në mjet ndodheshin shtatë pasagjerë në momentin e ndalimit, ndërsa gjatë kontrollit u zbulua një hapësirë e fshehtë ku ishin vendosur paratë, të ndara në disa pako.
Autoritetet doganore kanë deklaruar se bëhet fjalë për një nga sekuestrimet më të mëdha të cash-it në historinë e tyre, i realizuar falë një operacioni të strukturave operative në pikën kufitare.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar origjinën e shumës së madhe të parave dhe persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rast.


