“Gjuha shqipe amanet”/ Shkupi vishet kuqezi! Mijëra studentë protestojnë, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Mijëra studentë shqiptarë janë mbledhur sot në Maqedoninë e Veriut për protestën e tyre në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Tubimi është zhvilluar në Shkup, ku studentëve shqiptarë u janë bashkuar edhe të rinj nga Kosova, ndërsa një pjesë e studentëve nga Shqipëria kanë mbetur të bllokuar në kufi.
Studentët marshuan nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë, me thirrje si “Gjuha shqipe nuk negociohet”, “Gjuha shqipe amanet” dhe “Fillkov dorëheqje”.
Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov.
Në orët e para të protestës, disa prej tyre janë drejtuar te Gjykata Kushtetuese, duke ngjitur parulla në muret e jashtme të ambientit. Ndërkohë, autoritetet kufitare të Maqedonisë së Veriut kanë ndaluar hyrjen e një pjese të studentëve nga Shqipëria dhe Kosova, duke e lidhur situatën me probleme teknike në sistemin e regjistrimit në pikën kufitare.


