Vuçiç ankohet për dënime të lehta ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Nuk u konstatuan krimet kundër serbëve

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka dalë në një konferencë për mediat, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar më herët gjatë ditës së sotme, për të komentuar vendimin e Hagës ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vuçiç ka kritikuar Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se nuk kishin përfshirë disa akuza dhe krime të pretenduara ndaj serbëve, por theksoi se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan së bashku me 81 vite burg.
Ai gjithashtu tha se ish-krerët e UÇK-së nuk u dënuan për krime kundër njerëzimit.
"Sot u shpall një vendim i shkallës së parë para gjykatës së Kosovës, sepse kjo është e ashtuquajtura gjykatë e Kosovës, ata e krijuan këtë mekanizëm të veçantë 11 vjet më parë nën presionin e komunitetit ndërkombëtar, për të shmangur krijimin e një tribunali *ad hoc* si ai që u formua gjoja për territorin e ish-Jugosllavisë, por që në fakt u formua kundër serbëve dhe popullit serb", deklaroi Vuçiç.
"Është e rëndësishme të theksohet sa vijon: së pari, Trupi Gjykues nuk konstatoi ekzistencën e sulmeve sistematike kundër popullatës civile. Ata nuk donin të minonin besueshmërinë e UÇK-së," tha ai.
Më pas, Vuçiç tregoi disa fotografi ku pretendoi se shfaqeshin krimet e UÇK-së ndaj serbëve.
"Mund t'ju tregoj vetëm kaq – këtu – këtë fotografi, që të shihni llojin e masakrës që u krye; dhe për atë krim, siç e shihni, askush nuk është mbajtur përgjegjës as këtë herë. Kemi edhe shumë fotografi të tjera këtu. Kjo është ajo masakër, pikërisht te Liqeni i Radonjiqit. Edhe kjo këtu. Pamje të tmerrshme. Kjo nuk u mor parasysh," tha Vuçiç.


