Ish-zëdhënësi i Nanos, Thoma Gëllçi, mbështet Ilir Zelën: "Maskat ranë, Rama ua ka borxh socialistëve dorëheqjen"

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi, ka shprehur përmes një komenti në Facebook miratimin e tij për qëndrimin e themeluesit të FRESSH, Ilir Zela, i cili kërkoi sot dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa vendi vazhdon të përfshihet nga protestat masive që kanë hyrë tashmë në ditën e tyre të 25-të.
"Të lumtë Ilir! Zëre se e kam shkruar unë," shkroi Gëllçi, duke mbështetur plotësisht argumentet e Zelës për largimin e Ramës.
Gëllçi është një figurë me histori të gjatë në politikën dhe medien shqiptare: shërbeu si zëdhënës i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Fino (mars–qershor 1997), më pas si zëdhënës dhe drejtues i zyrës së informacionit për kryeministrat socialistë Fatos Nano (1997–1998), Ilir Meta (1999–2002) dhe sërish Fatos Nano (2002–2005). Pas largimit të PS-së nga pushteti në 2005, emigroi në SHBA, prej nga u kthye për të drejtuar RTSH-në nga maji 2016 deri në maj 2021, kur u zëvendësua nga Martin Leka.
Në postimin që ndezi reagimin e Gëllçit, Zela themelues dhe kryetar i parë i FRESSH, deputet i zgjedhur dy herë i PS-së, dhe anëtar i partisë prej vitit 1992 argumentoi se kërkesat e të rinjve në protestë për një sistem politik demokratik janë "thelbësisht të drejta" dhe se ato pasqyrojnë vlerat historike që vetë socialistët kanë mishëruar: rezistencën ndaj fashizmit në pushtet (1992–1997), stabilizimin pas krizës së 1997-ës, çlirimin e Kosovës, dhe reformën në drejtësi të 2015-ës.
Por, sipas Zelës, "rilindarët e pasuruar, të trashur e shtoplakur në pushtet" janë bërë sot vetë objekti i protestës dhe i hetimeve të SPAK-ut. Ai vuri në dyshim nëse të gjithë socialistët janë "katandisur në klone të subjekteve të SPAK", duke shprehur shpresën se revolta e të rinjve mund t'i ndihmojë socialistët "të rigjejnë partinë e tyre të zaptuar nga trusti i betonit".
Pjesa qendrore e kritikës së Zelës u drejtua personalisht ndaj Edi Ramës, të cilin e akuzoi se, pavarësisht premtimeve të vitit 2005 për demokraci të brendshme dhe luftë ndaj korrupsionit, "nuk arriti kurrë të bëhej një socialist", por i pa socialistët thjesht si "hambar votash". Zela renditi disa akuza specifike ndaj kryeministrit: kriminalizimin e përbërjes së Kuvendit, emërimin e "horrave" në qeveri, shkatërrimin e konceptit të shtetit, largimin nga vendi të mbi 1 milion shqiptarëve, vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi, dhe pengimin e drejtësisë nëpërmjet "mbrojtjes politike" të subjekteve të hetuara nga SPAK.
"Tani maskat kanë rënë dhe Edi Rama ia ka borxh socialistëve dorëheqjen, lirimin e rrugës," shkroi Zela, duke paralajmëruar se nëse Rama nuk e bën këtë, socialistët "nuk mund të hidhen bashkë me të në gremishtën ku po i tërheq" dhe do të gjejnë rrugë të tjera. Ai e mbylli mesazhin e tij me një thirrje për ripërtëritje brenda së majtës shqiptare, duke shprehur shpresën që "përfaqësuesit më të mirë të rinisë" të vijnë në krye të lëvizjes socialiste me një mendësi të re.


