"Rezoluta për BE-në duhet të sjellë reflektim të thellë"/ Meta nga qelia: Procesi i vonuar

Politikë

"Rezoluta për BE-në duhet të sjellë reflektim të

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përshëndetur miratimin me konsensus në Kuvend të Rezolutës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një zhvillim të vonuar në raport me procesin e anëtarësimit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se Shqipëria ka humbur kohë në rrugën drejt BE-së dhe se vendi aktualisht ndodhet prapa vendeve të tjera të rajonit, për shkak të mungesës së vullnetit politik për reformat e nevojshme.

Ai theksoi se integrimi evropian nuk është penguar nga faktorë të jashtëm, por nga moszbatimi i standardeve demokratike, përfshirë zgjedhjet e lira dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Sipas Metës, rezoluta e miratuar duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjitha palët politike dhe për të forcuar rolin e Kuvendit si institucion kryesor i demokracisë parlamentare.

Reagimi i Metës:

Përshëndes Rezolutën e miratuar me konsensus nga Kuvendi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe pse tepër e vonuar si vetë procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Partia e Lirisë (LSI) lindi si domosdoshmëri për të zhbllokuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila u nënshkrua vetëm pas rotacionit demokratik në vitin 2005.

Në atë kohë, Shqipëria ishte shumë përpara Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa tani situata është krejtësisht e kundërt dhe prapambetja e Shqipërisë në procesin e integrimit është tepër kritike.

Ndaj sot është momenti për një reflektim të thellë për të rikthyer Parlamentin në kollonën mbajtëse të Republikes, të demokracisë dhe të llogaridhenies.

Uroj që kjo Rezolutë t'i shërbejë këtij reflektimi të thellë që duhet të jetë real dhe të mos mbetet vetëm në letër, pasi Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka asnjë pengesë për t'u anëtarësuar në BE përveç mungesës së plotë të vullnetit politik të deritanishëm për të garantuar respektimin e Kritereve të Kopenhagenit, zgjedhjeve të lira, demokracinë funksionale, barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike, në respekt të standardeve kushtetuese dhe europiane.

ME TE LEXUARAT