“Rama për RAI: Integrimi i Shqipërisë në BE përshpejtohet, Korridori VIII një projekt kyç për rajonin dhe Europën

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ka hyrë në një fazë më dinamike dhe të përshpejtuar. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin “EstOvest” në RAI, ku u ndal te ecuria e negociatave dhe marrëdhëniet strategjike të vendit.
Sipas Ramës, përshpejtimi i procesit lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e detyrimeve nga ana e Shqipërisë, por edhe me një klimë më të favorshme në Bruksel për zgjerimin e BE-së.
“Po. Është e vërtetë. Prej shumë kohësh ne kemi këtë ambicie që është një ëndërr e vjetër shqiptare, por duhet të them që në këtë periudhë ka pasur një përshpejtim të fortë. Falë faktit që jo vetëm ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë, por edhe ata në Bruksel kanë qenë të bashkuar në synimin për të pranuar dhe për të shkuar përpara. “”, u shpreh ai.
Në fokus të intervistës ishin edhe marrëdhëniet me Italinë, të cilat Rama i cilësoi si të forta dhe të konsoliduara, veçanërisht në vitet e fundit.
“Italia nuk është një nga mbështetëset kryesore, por është mbështetësi kryesor i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, deklaroi ai.
Një nga projektet më të rëndësishme të përbashkëta sicc theksohet në kronikën e Rait kushtuar ‘Shqipërisë së Edi Ramës’ është Korridori VIII, një projekt strategjik që do të lidhë brigjet e Adriatikut me Detin e Zi, duke krijuar një aks të rëndësishëm transporti dhe sigurie për rajonin dhe më gjerë.
“Korridori VIII është një projekt strategjik shumë i rëndësishëm që falë kësaj qeverie që është në Itali ka hyrë në një fazë të re” tha Rama.
Në këtë kuadër, Rai përmend edhe samiti i zhvilluar së fundmi në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të disa vendeve të rajonit dhe Europës, duke i dhënë një shtysë të re projekteve strategjike mes dy vendeve
Edhe sipas ambasadorit të Italisë në vendin tonë, Marco Alberti, Korridori VIII është një projekt shumë i rëndësishëm për të dy vendet.
“Është një projekt paneuropian që përfshin transportin, hekurudhat, rrugët, portet, aeroportet dhe digjitalizimin, duke lidhur Lindjen me Perëndimin dhe duke rritur sigurinë, stabilitetin dhe lëvizshmërinë në rajon” thotë ambasadori.
Rama u pyet edhe për projektin 1 miliard euro të linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë, duke e konsideruar këtë një projekt të rëndësishëm përtej Italisë.
“Është e vërtetë që kemi firmosur një marrëveshje trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve Arabe për këtë projekt, që është sërish një projekt strategjik i Europës që nis nga Shqipëria dhe Italia” tha Rama
“Janë projekte shumë komplekse dhe duhet një vullnet i fortë politik. Janët re vended he një projekt kompleks për të ardhmen tonë” shtoi ambasadori Italian.
Në kronikën e RAI-t, thuhet se Shqipëria mbetet e pozicionuar qartë në krah të aleatëve strategjikë si SHBA, NATO dhe Bashkimi Europian dhe theksohet se vendi është anëtar i NATO-s që prej vitit 2009 dhe ka vënë në dispozicion të Aleancës bazën ajrore të Kuçovës, një nga më të rëndësishmet në rajon.


