Mes Trump-it dhe Iranit fiton Kina? 7 arsyet pse Xi Jinping-u është një hap para në sfidën e Hormuzit

Bota

Mes Trump-it dhe Iranit fiton Kina? 7 arsyet pse Xi Jinping-u është

Kriza e Suezit ishte momenti kur Britania e Madhe i tregoi botës se nuk ishte më një superfuqi. Dështimi i luftës së shpejtë të organizuar bashkë me Francën për të rimarrë kontrollin e Kanalit nga Egjipti i Gamal Abdel Nasser vulosi rënien e perandorive të mëdha evropiane.

Por ajo krizë solli edhe një pasojë tjetër po aq të rëndësishme: dollari e zëvendësoi përfundimisht sterlinën si valutë rezervë për bankat qendrore në të gjithë botën. Një vend i dobësuar nga dekada deficitësh në tregtinë me pjesën tjetër të botës, pa një bilanc publik të qëndrueshëm dhe pa një fuqi ushtarake që kontrollon rrugët kryesore detare, nuk mund të mbante më peshën e sistemit global. Brenda rreth tridhjetë vitesh, pesha e sterlinës ra nga 80% e rezervave botërore në vitin 1948 në më pak se 3%.

Me pak fjalë, bota ndaloi së përdoruri një monedhë që kontrollohej nga Londra. Dhe kjo e detyroi Britaninë të humbte avantazhin e normave të ulëta të interesit, të shkurtonte shpenzimet ushtarake dhe, bashkë me to, edhe ndikimin global.

Sot, Shtetet e Bashkuara nën Donald Trump nuk janë në të njëjtën situatë si Britania e Anthony Eden në vitin 1956. SHBA kanë epërsi teknologjike, kontrollojnë rreth 70% të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe vazhdojnë të kenë ushtrinë më të fuqishme në botë.

Megjithatë, pyetja që po shtrohet është nëse ekziston një mësim nga Suez për Amerikën e sotme. A po e përshpejton bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ngritjen e Kinës si superfuqi gjeopolitike? A mund të preket dominimi i dollarit si monedha kryesore për tregtinë e lëndëve të para?

Është ende herët për përgjigje të qarta, sepse gjithçka varet nga mënyra se si do të përfundojë lufta. Por çdo ditë e më shumë, kjo duket se është ajo që është në lojë. Dhe në këtë moment, Kina është në një pozicion që mund të përfitojë.

“Mos e ndërprit armikun kur po bën një gabim”, është shprehja që ekonomistja kineze Keyu Jin përdori pak ditë më parë në një forum në Itali për të komentuar luftën e Trump ndaj Iranit. Shprehja zakonisht quhet proverb kinez, edhe pse në fakt i atribuohet Napoleonit. Por kuptimi mbetet i njëjtë.

Në këtë krizë, Kina po mban një profil të ulët, ose të paktën kështu paraqitet. Ajo deklaron se është e shqetësuar për stabilitetin ndërkombëtar dhe përpiqet të duket e distancuar nga përplasja në Gjirin Persik. Por në të njëjtën kohë, vazhdon të blejë naftë nga Irani dhe, sipas shumë raportimeve, po i jep mbështetje Teheranit, njësoj siç ka bërë me Rusinë në luftën kundër Ukrainës. Pekini vë në dispozicion sisteme satelitore si BeiDou dhe mjete të tjera zbulimi që ndihmojnë në identifikimin e objektivave dhe goditjen me saktësi.

Ndërkohë, sipas të gjitha gjasave, Kina po i shet Iranit edhe raketa supersonike që janë kyçe për të mbajtur bllokimin në Ngushticën e Hormuzit. Xi Jinping e sheh këtë luftë si një faktor që destabilizon tregjet e eksportit kinez, por njëkohësisht si një mundësi të artë për të forcuar pozicionin global të vendit të tij.

Që nga fillimi i konfliktit, Pekini po përpiqet të ndërtojë imazhin e një superfuqie të besueshme dhe të parashikueshme. Ai dënon shkeljen e sovranitetit të Iranit dhe kritikon sjelljen e SHBA-së, duke bërë thirrje për armëpushim. Por në të njëjtën kohë, brenda vendit kontrollon tonin e debatit publik. Kritikat ndaj Trump në rrjetet sociale lejohen deri në një pikë dhe më pas censurohen. Mesazhi është i qartë: Kina paraqitet si një aktor racional, që nuk e humbet kontrollin dhe me të cilin mund të negociohet.

Kriza e Hormuzit ka edhe një dimension ekonomik shumë të rëndësishëm. Industria kineze e energjive të rinovueshme dhe e makinave elektrike po përfiton drejtpërdrejt. Frika nga ndërprerja e furnizimeve me naftë dhe gaz po shtyn shumë vende të përshpejtojnë kalimin drejt alternativave. Vende si Pakistani, Tajlanda, Singapori, Indonezia, Koreja e Jugut dhe Vietnami po rrisin investimet në makina elektrike dhe energji diellore. Edhe Etiopia kishte ndaluar më herët importin e automjeteve me motor me djegie për arsye të pavarësisë energjetike.

Ashtu si pas krizës së naftës në vitet ’70, kur makinat u bënë më të lehta dhe më ekonomike, edhe tani trendi është i njëjtë. Dhe Kina, si lider global në këto teknologji, është përfituesja kryesore. Që nga fillimi i luftës, kompanitë perëndimore të automobilave kanë pësuar rënie në bursë, ndërsa kompanitë kineze si BYD dhe CATL kanë shënuar rritje të forta.

Një tjetër avantazh i madh për Pekinin lidhet me kontrollin e tungstenit, një material thelbësor për industrinë moderne ushtarake. Kina kontrollon rreth 80% të prodhimit dhe përpunimit global të këtij metali. Të gjitha raketat më të avancuara amerikane dhe evropiane varen prej tij, ndërkohë që Kina ka vendosur kufizime të rrepta për eksportin. Sipas raportimeve, rezervat amerikane mund të jenë më të ulëta nga sa mendohet dhe sigurimi i burimeve alternative kërkon vite.

Në planin strategjik, lufta po detyron SHBA-në të zhvendosë mjete dhe trupa nga Azia drejt Gjirit. Kjo po krijon një boshllëk në rajonin e Azisë-Paqësorit, duke rritur shqetësimin e aleatëve si Japonia dhe Koreja e Jugut. Ndërkohë, Kina po përfiton nga kjo situatë, pasi presioni ushtarak mbi të po zvogëlohet.

Nga ana energjetike, Pekini është në një pozitë më të fortë se shumë vende të tjera. Rezervat e naftës mund të mbulojnë deri në gjashtë muaj konsum, ndërsa furnizimet nga Rusia dhe Irani vazhdojnë. Varësia nga gazi i Katarit është relativisht e ulët, shumë më e vogël se në vende europiane si Italia. Kjo i jep Kinës një qëndrueshmëri më të madhe përballë krizës.

Të gjitha këto faktorë e vendosin Pekinin në një rol unik edhe në planin diplomatik. Vetëm Kina ka ndikimin për të shtyrë Iranin drejt një marrëveshjeje që rihap Ngushticën e Hormuzit dhe për të garantuar besueshmërinë e saj. Ajo është blerësi kryesor i naftës që kalon nga kjo ngushticë dhe një partner jetik për Teheranin. Për këtë arsye, vendet e Gjirit si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari po kërkojnë zgjidhje duke komunikuar drejtpërdrejt me Pekinin. Edhe përpjekjet për negociata mes SHBA-së dhe Iranit kanë kaluar përmes Pakistanit, një vend i lidhur ngushtë me Kinën.

Në fund, e gjithë kjo lidhet me objektivin më të madh të Pekinit: përdorimin e juanit në vend të dollarit në tregtinë ndërkombëtare. Kina synon të blejë lëndë të para dhe produkte në monedhën e vet, ashtu siç bën Amerika me dollarin. Edhe pse juani nuk është plotësisht i konvertueshëm, Pekini po e imponon gradualisht në marrëveshje ndërkombëtare, nga nafta ruse te tregtia me Brazilin, Argjentinën, Pakistanin apo Laos. Që nga viti 2022, përdorimi i tij në transaksionet globale është rritur ndjeshëm.

Kina tashmë u ka kërkuar vendeve të Gjirit të pranojnë pagesa në juan për naftën. Nëse arrin ta imponojë këtë, atëherë do të sfidojë drejtpërdrejt dominimin e dollarit. Në këtë skenar, kriza aktuale në Gjirin Persik mund të ketë për Amerikën e Trump-it të njëjtin efekt që pati Suez për Britaninë.

Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt. Gjithçka varet nga aftësia e SHBA-së për të menaxhuar konfliktin, për të rihapur Ngushticën e Hormuzit ose për të imponuar ndryshime në Iran pa e përshkallëzuar situatën. Operacioni ushtarak mund të ketë ende sukses, edhe pse me kosto të mëdha njerëzore.

Por nëse gabimet vazhdojnë, historia mund të përsëritet. Dhe Donald Trump mund të mbahet mend si lideri që mendoi se po riafirmonte fuqinë e vendit të tij, por në fakt përshpejtoi ngritjen e një rivali të ri global./CorrieredellaSera 

ME TE LEXUARAT