Bob Dylan/ Zbulohet një pjesë e rrallë e këngës “I’m Not There” në librin e Allen Ginsberg

Showbiz

Bob Dylan/ Zbulohet një pjesë e rrallë e këngës

Një pjesë origjinale e grisur e tekstit të këngës “I’m Not There”, i shkruar nga Bob Dylan gati 60 vjet më parë, u zbulua rastësisht brenda një libri të Allen Ginsberg.

Në verën e vitit 1967, pak jashtë Woodstock, New York, Dylan shkroi dhe regjistroi mbi 100 këngë me The Band, përfshirë “I’m Not There”. Një pjesë e vogël e këtyre regjistrimeve u publikuan tetë vjet më vonë nga Columbia Records, ndërsa këngët e mbetura u publikuan gradualisht gjatë dekadave në vijim.

“I’m Not There” u publikua në vitin 2007 si pjesë e kolonës zanore të filmit të Todd Haynes me të njëjtin emër për jetën e Dylan dhe konsiderohet si një nga këngët e tij më të mira dhe më të dashura nga fansat e tij.

Sipas Guardian, faqja e tekstit u gjet brenda një botimi të parë të librit të Ginsberg “Ankor Wat”. Kopja i përkiste Sally Grossman, një mikeshë e ngushtë e artistit dhe gruas së menaxherit të tij të parë, Albert Grossman. Ajo shihet përkrah Dylan në kopertinën ikonike të albumit të vitit 1965 “Bringing It All Back Home”.

Faqja e tekstit do të dalë në ankand në prill, me një çmim të vlerësuar midis 26,400 dhe 52,800 dollarëve.

“Pas diskutimeve me koleksionistë të shquar, ky besohet të jetë një draft jashtëzakonisht i rrallë i asaj që konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të artistit”, deklaron Omega Auctions në përshkrimin e artikullit.

Libri ishte një dhuratë nga autori për Grossman në vitin 1969 dhe është pjesë e pasurisë së shitur pas vdekjes së tij në vitin 2021. Tekstet e këngës me sa duket mbetën midis faqeve për dekada, derisa një fletë letre rrëshqiti ndërsa shitësi po shfletonte librin rastësisht.

Vlen të përmendet se në vitin 2025, dy drafte të shtypura të hitit të Dylan “Mr. Tambourine Man” u shitën në Nashville për 508,000 dollarë.

Përveç shkrimeve të Dylan, në ankandin e prillit pritet të shiten edhe tekstet e shkruara me dorë të Michael Jackson për këngën “Black or White”, si dhe një arkiv i rrallë që lidhet me krijimin e albumit ikonik të Radiohead, “OK Computer”./Lajmi i Fundit

ME TE LEXUARAT