Ndahet nga jeta Connie Francis, legjenda e “Pretty Little Baby” kënga që u bë virale pas 63 vitesh
Këngëtarja e njohur amerikane Connie Francis, ikonë e muzikës pop të viteve ’50 dhe ’60, është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të shkurtër, në moshën 87-vjeçare. Lajmin e konfirmoi miku i saj i afërt, Ron Roberts, i cili u shpreh:
“Me zemër të thyer dhe trishtim të thellë ju njoftoj për ndarjen nga jeta të mikeshës sime të dashur, Connie Francis. E di që ajo do ta miratonte që fansat e saj të ishin ndër të parët që mësonin këtë lajm të hidhur.”
Francis ishte shtruar në spital në fillim të këtij muaji dhe u vendos në kujdes intensiv, çka e detyroi të anulojë një shfaqje për Ditën e Pavarësisë më 4 korrik. Ajo vuante nga dhimbje të forta në zonën e legenit dhe kishte kaluar në përdorim të karriges me rrota.
Pavarësisht sfidave shëndetësore, këngëtarja u tregua optimiste dhe falënderoi fansat për mbështetjen:
“Sot ndihem shumë më mirë pas një nate të mirë. Doja të shfrytëzoja këtë mundësi për t’ju uruar të gjithëve një 4 Korrik të lumtur.”
Në një intervistë për People, Francis pranoi se nuk e mbante mend fillimisht këngën:
“Të them të drejtën, më ishte harruar. Më duhej ta dëgjoja për ta kujtuar. Është e mrekullueshme të mendosh që një këngë që kam regjistruar 63 vjet më parë po prek ende zemrat e njerëzve. Është një ndjenjë e paharrueshme.”
Connie Francis do të kujtohet si një nga zërat më të veçantë të epokës së artë të muzikës amerikane, një ikonë që vazhdoi të frymëzojë breza të tërë deri në ditët e fundit të jetës së saj.