Një studim i ri mund të jetë zgjidhja për rënien e flokëve

Një studim i ri ka paraqitur një mundësi për rikthimin e flokëve te personat që u kanë rënë.
Studimi tregon se rigjenerimi i qimeve te minjtë mund të nxitet brenda 20 ditësh duke stimuluar gjëndrat e yndyrës rreth folikulave në lëkurë.
Shkencëtarët e National Taiwan University, u mbështetën te informacionet sesi irritimi i lëkurës dhe dëmtimi mund të ndikojnë në rritjen e flokëve. Ata u përpoqën të zbulonin arsyen dhe nëse këto mekanizma mund të përdoren për të trajtuar rënien e flokëve.
“Trupat e pjesës më të madhe të gjitarëve mbulohen nga një gëzof i trashë që është shtresa e parë mbrojtëse”, shkruhet në studim. “Irritimi ose lëndimi i sipërfaqes së epidermës, shtresës së dytë të lëkurës, sinjalizon rritjen ose rivendosjen e shtresës së parë, qimeve. Edhe pse njerëzit e kanë humbur pjesën më të madhe të tyre gjatë evolucionit, testet klinike tregojnë se irritimi ose dëmtimi i lëkurës mund të ndikojë në rritjen e shtuar të flokëve, duke nënkuptuar se njerëzit e ruajnë këtë aftësi të rëndësishme rigjeneruese.”
Në eksperimente, minjve u shkurtuan qimet dhe u dhanë dëmtime të lehta në lëkurë duke përdorur kimikate ose nxehtësi. Rritja e qimeve në zonat e dëmtuara u krahasua me lëkurën normale përmes imazheve mikroskopike.
Irritimi shkaktoi inflamacion duke nxitur mbërritjen e qelizave imunitare. Ato sinjalizonin qelizat e yndyrës për të çliruar acide yndyrore që përthitheshin nga qelizat staminale të qimeve duke nxitur rritjen e tyre.
Më pas, shkencëtarët aplikuan një serum me këto acide yndyrore në lëkurën e minjve, duke nxitur rritjen e qimeve brenda 20 ditësh.
Duhet theksuar se trajtimi funksionon te folikulat që janë në fazë qetësie duke pritur sinjalin për t’u aktivizuar. Te skalpi i njeriut, rënia e flokëve zakonisht ndryshon gjatësinë e këtyre fazave në çdo fije dhe është pak më e ndërlikuar sesa te eksperimenti me minjtë.
Rizgjimi i qelizave staminale të qimeve është një qasje ndaj një trajtimi të sigurt, të leverdisshëm dhe të shpejtë të rënies së flokëve, edhe pse për momentin ka disa kufizime. Shkencëtarët po përpiqen që të shkojnë drejt testeve klinike për të parë nëse kjo mund të funksionojë te njerëzit.


