Një virus i ri detar është zbuluar që mund të infektojë syrin e njeriut, simptomat dhe si përhapet

Soft

Një virus i ri detar është zbuluar që mund të

Qingdao (Kinë), 10 prill 2026 – Është zbuluar një virus i ri detar që mund të jetë i dëmshëm për syrin e njeriut. Sipas një studimi kinez të publikuar në Nature Microbiology, një sëmundje okulare e quajtur “uveit anterior viral me hipertension okular të vazhdueshëm”, karakteristikat e së cilës ishin të panjohura deri tani, vjen nga një “cover mortality nodavirus” (CmNV) me origjinë ujore.

Ky lidhje mund të përfaqësojë një rast tipik të kalimit të virusit nga një specie në tjetrën, pasi ai zakonisht prek peshqit dhe jovertebrorët detarë. Sëmundja, e ngjashme me glaukomën, shkakton inflamacion të syrit dhe rritje të presionit brenda tij, duke çuar deri në humbje të shikimit.

Virusi

Sipas analizave të kryera në Laboratorin Laoshan në Qingdao, nodavirusi i lidhur me këtë patologji është i përhapur në të gjitha detet e botës dhe mund të jetë transmetuar tashmë edhe te specie të tjera tokësore.

“Ndryshimet klimatike dhe aktivitetet njerëzore kanë rritur rrezikun e transmetimit të viruseve nga fauna e egër”, thuhet në studimin e publikuar në Nature Microbiology. Kohët e fundit është identifikuar një sëmundje okulare te njerëzit (me akronimin shkencor POH-VAU), e lidhur me këtë virus me origjinë ujore.

Konfirmimi i transmetimit erdhi pas një sërë kërkimesh të kryera nga shkencëtarë kinezë në periudhën 2022–2025, ku u analizuan mostrat okulare të 70 personave. Në fund, të gjithë pacientët rezultuan pozitivë për CmNV, duke përbërë rastet e para të dokumentuara të kalimit të një virusi ujor te njerëzit.

Shkaqet kryesore të infektimit

“Të dhënat epidemiologjike tregojnë se përpunimi i shpeshtë pa mbrojtje i kafshëve ujore dhe konsumimi i tyre të papërpunuara janë faktorët kryesorë të ekspozimit”, thuhet në studim. Këto përbëjnë rreth 71.4% të rasteve të analizuara.

Më shumë se gjysma e personave të infektuar punonin në sektorin e akuakulturës (rritja e peshqve, krustaceve dhe molusqeve). Ndërsa rreth 16% u infektuan nga konsumimi i peshkut ose frutave të detit të papërpunuara, ose nga kontakti me persona në rrezik të lartë.

Aktualisht, sëmundja nuk konsiderohet epidemike, megjithëse virusi është gjetur në organizma detarë në të pesë kontinentet. Studiuesit nuk përjashtojnë mundësinë që virusi të ketë kaluar më parë përmes gjitarëve të tjerë para se të infektonte njerëzit.

Në përfundim, është konstatuar se një ndër faktorët kryesorë të përhapjes së infeksionit te kafshët detare është rritja e temperaturave të ujit.

 

ME TE LEXUARAT