Skandal/ Hakerat sulmojnë “Botën e futbollit” publikohen 150 mijë dokumenta personale, mes personazheve edhe presidenti i FIFA-s

Një sulm kibernetik me përmasa të mëdha ka goditur botën e futbollit ndërkombëtar, duke ekspozuar dhjetëra mijëra dokumente dhe të dhëna personale të lojtarëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të njohur sportivë.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe burimeve të specializuara në sigurinë digjitale, në internet janë publikuar mbi 150 mijë dokumente konfidenciale, përfshirë pasaporta, kontrata profesionale, adresa elektronike dhe të dhëna të tjera sensitive.
Mes emrave të prekur nga kjo rrjedhje të dhënash përmenden disa nga figurat më të njohura të futbollit botëror, si Son Heung-min, Lee Kang-in, Mehdi Taremi dhe Neymar Jr, si dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Ekspertët e sigurisë kibernetike e kanë cilësuar incidentin si një nga shkeljet më serioze të regjistruara ndonjëherë në sport, duke paralajmëruar se informacionet e publikuara mund të përdoren për mashtrime, vjedhje identiteti dhe sulme financiare.
Sipas hetimeve paraprake, të dhënat e hakuara janë të strukturuara në mënyrë sistematike dhe të ndara sipas individëve dhe shteteve, çka ka shtuar dyshimet se sulmi është rezultat i një depërtimi të drejtpërdrejtë në sisteme të brendshme të organizatave sportive.

Grupi kibernetik “ShinyHunters” ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke e quajtur atë një nga operacionet më të mëdha të realizuara prej tyre. Autoritetet ndërkombëtare po vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmin e plotë dhe për të forcuar sigurinë digjitale në sportin global.


