Zuckerberg prezanton syzet inteligjente me teknologji të avancuar IA
Kompania e njohur Meta ka prezantuar së fundmi një seri të re syzesh inteligjente në bashkëpunim me markat e njohura Ray-Ban dhe Oakley, duke e quajtur këtë një hap të madh drejt së ardhmes së teknologjisë së përditshme.
Në konferencën vjetore të zhvilluesve “Meta Connect”, Mark Zuckerberg zbuloi pajisjet e reja që synojnë të integrojnë inteligjencën artificiale në jetën e përditshme të përdoruesve.
Syzet Meta Ray-Ban Display janë të pajisura me një ekran me ngjyra të plota dhe rezolucion të lartë, si dhe me një kamerë 12 megapikselëshe.
Këto syze i lejojnë përdoruesit të bëjnë video-thirrje, të lexojnë mesazhe në kohë reale dhe të ndërveprojnë me botën rreth tyre përmes një përvoje më të zgjuar dhe më të lehtë.
Meta ka prezantuar gjithashtu një byzylyk të veçantë nervor, që lidhet me syzet dhe u mundëson përdoruesve të dërgojnë mesazhe thjesht përmes lëvizjeve të vogla të dorës.
Kjo teknologji shihet si një përparim i madh që do të bëjë komunikimin më të natyrshëm dhe më diskret.
Zuckerberg e cilësoi këtë si një “zbulim të madh” dhe tha se këto pajisje janë një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Meta-s për të ndërtuar një platformë të fuqishme që kombinon inteligjencën artificiale me përdorimin e përditshëm.
Çmimi i syzeve të reja Meta Ray-Ban Display pritet të jetë rreth 799 dollarë, më i lartë se modelet e mëparshme, ndërsa syzet Oakley Meta Vanguard, që synojnë entuziastët e sportit, do të kushtojnë 499 dollarë.
Gjithashtu, Meta prezantoi edhe një gjeneratë të dytë të syzeve Ray-Ban Meta me një çmim më të përballueshëm prej 379 dollarësh.
Meta po investon miliarda dollarë në ndërtimin e qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale në SHBA, me synimin për të zhvilluar teknologji të “superinteligjencës” që në të ardhmen mund të tejkalojë kapacitetin njerëzor për të menduar.