"Valter Begaj do të përballet me gjykim të zakonshëm, ndërsa Evis Berberi dhe 20 të tjerë kanë kërkuar gjykim të shkurtuar

Në seancën e parë në thëmel për 22 të pandehurit e çështjes penale “ARRSH”, të pandehurit dhe avokatët e tyre përsëritën kërkesat për formën e gjykimit.
Evis Berberi, Gentjan Gjyli, Erald Elezi, Ervis Lami, Brunilda Buli, Genti Raça, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Ajda Strazimiri, Gezim Noni, Shkelqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Valbona Pepa kërkuan përmes mbrojtësve të tyre ligjorë gjykim të shkurtuar, të cilën e kanë shprehur më herët në seancën paraprake.
Ndërsa avokati Isufi Shehu që mbron në këtë proces Valter Begajn, kërkoi ndarjen e çështjes për klientin e tij.
Ndaj të gjithë grupit janë ngritur akuzat “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" kryer ne bashkepunim, “Korrupsoni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim i dokumentave", kryer në bashkëpunim.
Të pandehur nga SPAK janë marrë edhe dy shoqëritë “Net” shpk dhe “Daam” shpk, të cilat po gjykohen më vete me procedurë të zakonshme.
Ky proces penal po gjykohet nga treshja e gjyqtarëve Marinela Osmani kryesuese, me anëtarë Flora Hajredinaj dhe Flojera Davidhi, të cilët caktuan seancën e radhës në datë 12 mars në orën 15:30.
Kjo trupë gjykuese në seancën e radhës do shprehet lidhur me kërkesën e gjithë të pandehurve, teksa u kërkoi avokatëve që klientet e tyre që nuk ishin prezent sot në sallë, të deklaronin edhe njëherë përmes prokurës formën e gjykimit./Shqiptarja


