Debat për monopatinat, Kapri akuzon qeverinë: Goditni të rinjtë dhe mbyllni sytë ndaj të fortëve

Debate të forta janë zhvilluar në Kuvend lidhur me ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike, ku deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, i kërkoi shpjegime ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari për mungesën e një zgjidhjeje konkrete edhe pas disa muajsh nga vendimi.
Kapri kritikoi ashpër mënyrën se si Policia e Shtetit po zbaton masat, duke theksuar se po penalizohen kryesisht të rinjtë që përdorin monopatinat si një alternativë më ekonomike për lëvizje.
Ai akuzoi institucionet se po tregohen të ashpra me qytetarët e zakonshëm, ndërsa sipas tij mungon kontrolli ndaj personave me pasuri të pajustifikuara.
Sipas deputetit, ndërkohë që të rinjtë ndalohen dhe u bllokohen mjetet, nuk ka veprime konkrete për verifikimin e burimeve të të ardhurave për automjete luksoze që qarkullojnë në kryeqytet.
Ai e cilësoi këtë si një standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit.
Kapri shtoi se një nismë ligjore e depozituar prej tij për rregullimin e përdorimit të monopatinave ende nuk është shqyrtuar, duke ngritur dyshime për mungesë vullneti apo interesa të tjera në këtë sektor në rritje.


