Del autopsia/ Ish-burri e goditi Gentiana Hudhrën 17 herë me thikë, tentoi edhe t’i priste fytin
Kane dalë rezultatet e para të autopsisë që u krye në trupin e Gentiana Hudhra, nënës 45-vjeçare me origjinë shqiptare të vrarë nga ish-bashkëshorti i saj Nikollaq Hudhra të shtunën në mbrëmje në Viale Benadduci në Tolentino të Italisë.
Sipas autopsisë të kryer nga mjeku ligjor Antonio Tombolini rezultojnë 17 plagë me thikë të shkaktuara nga koka deri poshtë në shpinë dhe në trup, disa prej të cilave ishin fatale. Gjithashtu nga lloji i lëndimeve të konstatuara nga mjeku ligjor, është e kuptueshme që Gentiana, pasi u sulmua nga pas, u përpoq të arratisej dhe më pas të mbrohej (ajo kishte një plagë tej për tej në krah). Një goditje tjetër iu dha pranë qafës, në këtë rast hipoteza është se ish-burri u përpoq t’i priste fytin.
Pastaj në një kulm mizorie, kur gruaja ishte tashmë në tokë, ish-burri 55-vjeçar dyshohet se e goditi me shqelm në fytyrë, duke i thyer septumin nazal në lartësinë e syrit.
Hudhra gjithashtu ka pranuar vrasjen dhe ka rrëfyer se kishte tentuar të vriste ish-gruan edhe dy herë më parë. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivin e përpjekjeve të tjera për vrasje. Nikollaqi ndodhet aktualisht në izolim në burgun Montacuto në Ankona dhe në gjykatën e Maceratas do të zhvillohet seanca për konfirmimin e arrestimit.
Ai akuzohet për vrasje me paramendim, ndërsa ka pranuar se ka provuar edhe më parë ta vriste ish-gruan dhe ka shpjeguar se ka shkuar në vendin e ngjarjes me monopatinë, pasi ajo e njihte makinën e tij.