Do të festonte 30-vjetorin në prill, foto e të riut shqiptar që u vra për një rumune në Itali

Ky është 29-vjeçari shqiptar Gjergj Përgegaj, i cili u vra me armë zjarri në Arezzo nga një bashkëkombas për motive xhelozie.
Sipas mediave italiane, ai u qëllua nga partneri aktual i ish-të dashurës së tij, një 35-vjeçar, i cili e gjeti duke biseduar me të renë, me origjinë rumune, pasi kishte përfunduar turnin e punës si kamerier.
Gjergji më 19 prill do të festonte ditëlindjen e tij të 30-të.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur autori, pasi i pa bashkë, humbi kontrollin dhe nxori armën duke qëlluar tre herë në drejtim të viktimës.
Një nga plumbat e goditi Gjergj Përgegaj në fyt, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa shërbimet e emergjencës nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar.
Pas krimit, autori u largua nga vendngjarja, por u arrestua disa orë më vonë nga policia pa bërë rezistencë.
Trupi i 29-vjeçarit u dërgua në morgun e spitalit San Donato Hospital, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj vrasjeje me motive pasionale./vplus


