Dhuna ndaj Vladimir Bruçit për një vend parkimi, dënohen me burg 3 të akuzuarit

Aktualitet

Dhuna ndaj Vladimir Bruçit për një vend parkimi, dënohen

Gjykata e Shkodrës ka dhënë vendimin për tre të pandehurit, e akuzuar për konfliktin e ndodhur më 3 qershor të vitit 2024, ku u godit me sende të forta 62 vjeçari Vladimir Bruçi.

Sipas vendimit, Izmir Sakica u shpall fajtor për veprat penale: “Prishja e qetësisë publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe për “Prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Për këto akuza, Izmir Sakica u dënua fillimisht me 4 vite burgim, pas bashkimit të dënimeve. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u konvertuar në 2 vite e 8 muaj burgim.

Ndërkohë, ai u shpall i pafajshëm për akuzën e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Edhe Samuel Troshani dhe Arlind Kajoshi u shpallën fajtorë për “Prishjen e qetësisë publike”, të kryer në bashkëpunim, dhe u dënuan fillimisht me nga 2 vite burgim secili.

Pas uljes së dënimit me një të tretën, në kuadër të gjykimit të shkurtuar, secili prej tyre do të vuajë nga 16 muaj burgim. Të dy u shpallën të pafajshëm për akuzat që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve dhe municioneve.

Tre personat ishin të dyshuar gjithashtu për ngjarjen e 3 qeshorit 2024 për dyshimet për dhunë ndaj Vladimir Brucit.

ME TE LEXUARAT