Protesta e dhunshme e opozitës, policia me njoftim: 11 të arrestuar, nën hetim deputetë dhe të mitur

Aktualitet

Protesta e dhunshme e opozitës, policia me njoftim: 11 të arrestuar,

Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me protestën e opozitës e cila u zhvillua të premten para Kryeministrisë. Policia bën me dije se lidhur me tensionet dhe hedhjen e motovëve nga protestuesit drejt efektivëve të policisë dhe Kryeministrisë janë arrestuar 11 persona.

Gjithashtu janë proceduar penalisht 15 persona të tjerë. Mes tyre është proceduar edhe një deputeti i PD. Policia ndër të tjera shton se janë sekuestruar 45 molotovë teksa thekson se disa protestues i kishin përgatitur për të vijuar sulmet.

Mësohet se gjatë protestës 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar. Ata morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi:
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë gjatë tubimit të zhvilluar më datë 17.04.2026, arrestohen në flagrancë 11 shtetas.

Procedohen penalisht 15 shtetas të tjerë.

Gjatë tubimit, si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, u dëmtuan 5 punonjës policie.

Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 45 molotovë, që disa protestues i kishin përgatitur për të vijuar sulmin ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT