“Foto e spray-t, mashtrim”/ Berisha: Policia konfirmoi përdorimin e verbuesit të ariut kundër demonstruesve

Politikë

“Foto e spray-t, mashtrim”/ Berisha: Policia konfirmoi

Kreu i PD, Sali Berisha shprehet se policia konfirmon përdorimin e verbuesit të ariut kundër demonstruesve paqësorë. Ai reagoi pasi Policia e Shtetit shpërndau për mediat foton e spray-t që përdori kundër protestuesve mbrëmjen e kaluar.

Në reagimin e tij, Berisha thekson se policia mashtroi, duke shtuar se foto e spray-t nuk është e njëjta me mjetet e përdorura nga efektivët gjatë protestës.

“Nga shikimi i vëmendshëm konstatohet se mekanizmi i hedhjes së spray-t i bombolës në dorën e narkopolicit është mekanizmi tipik i bombulave të spray-t të verbuesit të ariut dhe është krejt tjetër nga mekanizmi i bombulës të shpërndarë për mashtrim nga policia”, shprehet ai.

Reagimi i plotë:

Narkopolicia konfirmon përdorimin e verbuesit të ariut kundër demonstruesve paqësorë.

Të dashur miq,

për të përgënjeshtruar deklaratat e PD për përdorimin e verbuesit të ariut nga narkopolicia dje kundër protestuesve, sot pasdite ajo ka shpërndarë foto të spray-t që përdoret nga policia kundër protestuesve.

Por cilido që shikon me vëmendje foton e bombulës së spray-t në dorën e policit, konstaton se ajo është krejt tjetër nga bombula që ka shpërndarë në media policia, gjoja të përdorur prej saj. Nga shikimi i vëmendshëm konstatohet se mekanizmi i hedhjes së spray-t i bombolës në dorën e narkopolicit është mekanizmi tipik i bombulave të spray-t të verbuesit të ariut dhe është krejt tjetër nga mekanizmi i bombulës të shpërndarë për mashtrim nga policia.

Dënoj me forcën më të madhe këtë mashtrim publik të ulët të narkopolicisë, e cila pasi ka kryer krimin kërkon të fshihet. Përdorimi i verbuesit të ariut kundër njerëzve është një vepër me pasoja të rënda kriminale, e ndaluar nga konventat ndërkombëtare.

ME TE LEXUARAT