Dhunoi gazetarin Ervin Dushi bashkë me 2 persona të tjerë, arrestohet 51-vjeçari në Shkodër

Është arrestuar në Shkodër 51-vjeçari Prelë Gjoni, i cili dyshohet se bashkë me dy persona të tjerë ka dhunuar gazetarin Ervin Dushi dy ditë më parë.
Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur më 18 maj 2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, ku gazetari është goditur me grushte për shkak të detyrës së tij.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj 51-vjeçarit është ngritur akuza “Goditja për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër për veprime të mëtejshme.
Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e dy personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër-Dhunoi fizikisht një 46-vjeçar (gazetar), për shkak të detyrës, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. Gj., 51 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 46 vjeç, gazetar, për shkak të detyrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


