Berat / 300 hektarë me sera në fshatin Goriçan nën 'pushtetin' e ujit, fermerët kërkojnë dëmshpërblim: Jemi të falimentuar

Aktualitet

Berat / 300 hektarë me sera në fshatin Goriçan nën

DIMAL - Rreth 300 hektarë me sera në fshatin Goriçan, pjesë e Dimal, vijojnë të jenë nën ujë prej tre ditësh, pas hapjes së portave të digave. Prodhimi bujqësor është kalbur brenda në sera për të disatën herë, ndërsa fermerët deklarojnë se janë drejt falimentimit dhe kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.

Sipas banorëve, Goriçani është përmbytur 5 herë radhazi gjatë muajit dhjetor 2025 dhe në fillim të vitit 2026, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. Përmbytja e fundit, e ndodhur tre ditë më parë, la nën ujë qindra hektarë sera të mbjella me domate, speca, lakra, kastravecë dhe kultura të tjera stinore. Në disa zona uji arriti deri në 1 metër.

Të njëjtin fat ka pësuar edhe një fermë blegtorale në zonë, ku uji ka marrë me vete rreth 70 krerë dele dhe qengja, së bashku me bazën ushqimore.

Fermerët shprehen se dëmet janë të pallogaritshme dhe se janë zhytur në borxhe e kredi. Ata theksojnë se, megjithëse dëmet janë verifikuar disa herë nga autoritetet, deri më tani nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.

“Këtu është hera e pestë që ka dalë lumi. tre herë i kemi mbjellë tani brenda muajit, tre herë na i ka marrë lumi. Nuk ka ardhur asnjeri për inspektim. Më është shkaktuar deri në 12 mln lekë. I kërkojmë shtetit të na ndihmojë, sepse jemi të falimentuar. Këtu jemi si në Mesjetë”, tha një fermer.

“Që nga tetori kjo zonë është përmbyur. Këto nuk janë ujërat e shiut, këto janë ujërat ë HEC-ve. Kjo situatë është emergjence. Nuk kemi shpresa, ne si banorë të fshatit jemi të falimentuar. Kërkojmë nga shteti dëmshpërblim”, tha një tjetër.

Sipas tyre, rikuperimi i tokës dhe nisja e një cikli të ri prodhimi do të jetë i mundur vetëm pas 2-3 muajsh, kur toka të thahet plotësisht, çka do të thotë humbje të mëtejshme për ekonomitë familjare.

Fermerët i bëjnë apel institucioneve shtetërore për dëmshpërblim financiar të menjëhershëm, kompensim për fidanët e mbjellë dhe të përmbytur disa herë radhazi dhe ndërtimin e një argjinature mbrojtëse, për të shmangur përmbytje të tjera në të ardhmen./Shqiptarja

 

ME TE LEXUARAT